Të nderuar lexues!
Agjencia e Akreditimit është riorganizuar në Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, ASCAL. Po ashtu është ndryshuar edhe faqja zyrtare e institucionit. Së shpejti faqja aktuale www.aaal.edu.al do të mbyllet dhe i gjithë informacioni në lidhje me ASCAL do të publikohet në faqen e re www.ascal.al
Faleminderit për mirëkuptimin.

Kliko për të vazhduar

 RANKING 2011

Rezultatet e renditjes pilot të institucioneve të arsimit të lartë, për programet e studimit të ciklit të parë (Bachelor) në fushat e ekonomisë, shkencave sociale, drejtësisë dhe infermierisë. 
Renditja, realizon një listim të programeve të studimit në bazë të disa treguesve përshkrues apo cilësor, objektivë dhe subjektivë. Qasja metodologjike e përzgjedhur për renditjen në Shqipëri, është shumë-dimensionale. Duke marrë parasysh interesat e ndryshme të studentëve dhe profilizimin e institucioneve të arsimit të lartë, në dimensione të caktuara të zhvillimit të veprimtarisë akademike. 
Klasifikimi i institucioneve, është realizuar më gjerësisht në tre grupe:

-grupi i sipërm (ngjyra jeshile),
-grupi i mesëm (ngjyra e verdhë),
-grupi i poshtëm (ngjyra e kuqe).

Për Shqipërinë, ky projekt pilot në katër fushat e përzgjedhura ka shërbyer si mësim për një proces në vijim edhe në të ardhmen për të përfshirë fusha të tjera të studimeve (shih Figura 1: Qasja themelore e renditjes).

Qëllimi kryesor i renditjes, është informimi më i mirë i studentëve për ofertën në sistemin tonë të arsimit të lartë. Këtij qëllimi, i shërben edhe renditja shumë-dimensionale. Ajo ofron një gamë të gjerë treguesish që e ndihmojnë studentin të zgjedhë shkollën e lartë. Kualifikimi i pedagogëve është sigurisht treguesi më i rëndësishëm i cilësisë në një institucion të arsimit të lartë. Kjo do të thotë që studenti që dëshiron të studiojë në një nga fushat e mësipërme duhet të shohë se cila shkollë e lartë ka personelin akademik me nivelin më të lartë të kualifikimit, do me thënë, shkolla që për këtë parametër është renditur në “grupin e sipërm (ngjyra jeshile)”.

Institucionet e arsimit të lartë, kanë mundësi që nëpërmjet renditjes të krahasohen me njëri tjetrin për nga cilësia e ofertës së tyre dhe të zhvillojnë strategji për të ardhmen.

Projekti pilot i renditjes në Shqipëri, kaloi nëpër dy faza kryesore zhvillimi (shih Figura 2: Zhvillimi i konceptit bazë):

1. Hartimi i konceptit me një bashkësi të përcaktuar treguesish dhe instrumentet e nxjerrjes së të dhënave; 
2. Realizimi i projektit pilot të renditjes, i cili përfshin mbledhjen e të dhënave, përllogaritjen dhe publikimin e rezultatit përfundimtar.

Gjatë fazës së parë, u konsultuan pedagogë, studentë dhe drejtues të universiteteve dhe u morën parasysh mendimet dhe sugjerimet për përshtatjen e modelit të zbatuar nga CHE në kontekstin e sistemit arsimit të lartë të vendit tonë. Në fazën e dytë u mblodhën të dhëna nga institucionet e arsimit të lartë, studentët dhe profesorët, të cilat iu nënshtruan përpunimit statistikor sipas metodologjisë që zbaton kjo CHE (shih Figura 3:Burimi i të dhënave).

Përmes këtij projekti u bë e mundur që të zhvillohet një Model Rankimi i përshtatur për kushtet e sistemit tonë të arsimit të lartë dhe të ngrihet një Njësi e Rankimit pranë Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë (APAAL) e cila ka personel të kualifikuar për të bërë në të ardhmen renditjen e programeve të tjera të studimeve universitare.

Kritere për pjesëmarrjen e institucioneve të arsimit të lartë në projektin pilot ishin përkatësisht: a) angazhimi institucionit për të marrë pjesë në renditje, b) fushat e studimit (ekonomi, shkenca sociale, drejtësi dhe infermieri), c) numri i studentëve (më shumë se 15 studentë për një program studimi) dhe ç) numri i studentëve që kanë përfunduar studimet, ose që vazhdojnë vitin e tretë të ciklit të parë të studimeve (Bachelor).

Rezultatet e renditjes janë dhënë në tabela për drejtimet ekonomi-biznesdrejtësi dhe infermieri. Ndërsa për drejtimin shkenca sociale nuk u arrit të bëhet renditje për shkak të numrit statistikisht të pamjaftueshëm të shkollave të larta që ofrojnë këtë drejtim studimesh.

Institucionet e arsimit të lartë, që nuk shfaqen në tabelat e rezultateve të projektit pilot janë ato që nuk plotësonin kriteret e mësipërme (përgjithësisht institucione të krijuara në dy tre vitet e fundit) ose që nuk kanë marrë pjesë në renditje.