Të nderuar lexues!
Agjencia e Akreditimit është riorganizuar në Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, ASCAL. Po ashtu është ndryshuar edhe faqja zyrtare e institucionit. Së shpejti faqja aktuale www.aaal.edu.al do të mbyllet dhe i gjithë informacioni në lidhje me ASCAL do të publikohet në faqen e re www.ascal.al
Faleminderit për mirëkuptimin.

Kliko për të vazhduar

I. PROCEDURA E VLERESIMIT

Vlerësimi i Cilësisë në Arsimin e Lartë kryhet nën drejtimin e Agjencisë së Akreditimit të Arsimit të Lartë. Vlerësimi i Cilësisë duhet të karakterizohet nga profesionalizmi, vërtetësia, objektiviteti, paanshmëria, transparenca e plotë dhe përfshirja e të gjithë aktorëve në të gjitha fazat e vlerësimit. Vlerësimi realizohet kryesisht në dy faza, faza e brendshme dhe më pas faza e jashtme; të dy fazat njihen në terminologjinë e vlerësimit si Vlerësimi i Brendshëm (ose Vetëvlerësimi) dhe Vlerësimi i Jashtëm. Por vetëvlerësimi mund të kryhet gjithashtu, i pavarur nga procesi i vlerësimit dhe akreditimit periodik, me iniciativën e vetë Institucionit të Arsimit të Lartë për qëllime të tij të brendshme.

Vlerësimi i Brendshëm është vlerësimi që bën njësia nën përgjegjësinë e saj. Ai pasqyrohet në Raportin e Vetëvlerësimit. Ky i fundit shoqërohet edhe me Dosjen e Vetëvlerësimit, e cila do të shërbejë si mbështetje themelore për Vlerësimin e Jashtëm që kryhet nga Grupi i Vlerësimit (Ekspertëve) të Jashtëm e që përzgjidhet nga AAAL.

Objekti i Dosjes së Vetëvlerësimit është që të paraqesë njësinë në zhvillim, në evoluim (që nga vlerësimi i fundit) dhe të bëjë analiza të aspekteve e treguesve të rëndësishëm të njësisë apo programit që bëjnë të mundur evidentimin e pikave të forta, pikave të dobëta dhe perspektivën e institucionit dhe/ose programit, kurrikulës etj.

Udhëzuesi për Vlerësimin e Brendshëm të Cilësisë sugjeron temat kryesore që duhen trajtuar si dhe saktëson të dhënat që duhen mbledhur dhe analizuar. Kuptohet, që mund të trajtohen edhe probleme të tjera, sikurse mund të prezantohen edhe dokumente të tjerë specifikë të njësisë (studime specifike, statistika etj.) apo të sillen informacione të tjera veç atyre që sugjerohen dhe që kërkohen. Një seri me tabela janë propozuar për t’u plotësuar: edhe për to është i mundur modifikimi e përshtatja në përputhje me specifikat e njësisë.

Vlerësimi i Jashtëm drejtohet e monitorohet nga APAAL; gjatë kësaj faze bëhet vlerësimi dhe analiza e njësisë dhe/ose programit, kurrikulës apo diplomës me ekspertë të fushës dhe që nuk kanë asnjë lloj konflikti me njësinë nën vlerësim.

Në fund të procesit të vlerësimit, APAAL përgatit Raportin Përfundimtar të Vlerësimit duke u mbështetur në tre burime kryesore:

  • dosja e vetëvlerësimit, përfshirë Raportin e Vetëvlerësimit;
  • Raportin e Vlerësimit të Jashtëm dhe vizitën e tyre në vend, si dhe
  • diskutimet e organizuara nga APAAL si gjatë vetëvlerësimit ashtu dhe gjatë vlerësimit të jashtëm.

Menjëherë pas kësaj, Raporti Përfundimtar i Vlerësimit i paraqitet Këshillit të Akreditimit për të dhënë rekomandimet apo propozuar vendimet përkatëse. Në bazë të vendimit që merr KA për cdo vlerësim, raporti i vlerësimit apo rezultatet e vlerësimit bëhen publike.

Detyra kryesore e raporteve të vlerësimit është t’i japë njësisë dhe të interesuarve kryesorë të saj një dokument të shkruar që shërben si paraqitje e gjendjes ekzistuese dhe si themel për përmirësime e zhvillime të mëtejshme.

Objektivat kryesorë të përgjithshëm të vlerësimit janë:

  • Të thellojë kuptimin rreth nevojës për vlerësimin e cilësisë së Arsimit të Lartë në vendin tonë.
  • Të zhvillojë sistemet e vlerësimit ose të pasurojë ato ekzistueset.
  • Të zhvillojë dhe të përhapë përvojën e institucionit në këtë lëmë.
  • Të realizojë vetëvlerësimin me synimin që të krijohet një tabllo e qartë dhe transparente e njësisë për të ndërtuar politika zhvillimi në përputhje me misionin e saj.
  • Të shërbejë si bazë për procesin e mëtejshëm të akreditimit të institucioneve e programeve
  • Të bëjë publik informacionin me qëllim që të gjithë partnerët dhe publiku i gjerë (studentët, prindërit, stafet akademike dhe ndihmëse, partnerët e tjerë socialë, ekonomikë e politikë) të informohen për gjendjen e njësisë, programeve, kurrikulave, shërbimeve etj.
  • Të shërbejë në fund të fundit për kultivimin e Kulturës së Cilësisë në Institucionet e Arsimit të Lartë si pjesë e tyre e brendshme dhe e qëndrueshme.

II. MENYRA E ZHVILLIMIT TE NJE PROCEDURE VLERESIMI

Një procedurë vlerësimi kalon nëpër disa faza:

  1. Paraqitja e kërkesës për vlerësim dhe shqyrtimi i saj nga APAAL dhe Këshilli i Akreditimit
  2. Miratimi i kërkesës dhe përcaktimi i afateve kohore të vlerësimit nga APAAL dhe KA
  3. Vlerësimi i Brendshëm (vetëvlerësimi)
  4. Vlerësimi i Jashtëm
  5. Hartimi nga APAAL i Raportit Përfundimtar të Vlerësimit
  6. Përgatitja nga APAAL e dokumentacionit të plotë të vlerësimit për Këshillin e Akreditimit
  7. Shqyrtimi i Vlerësimit nga KA dhe hartimi i rekomandimeve të KA për MAS
  8. Shpallja dhe botimi i rezultateve të vlerësimit, rekomandimeve të KA dhe vendimeve përkatëse
Hollësi të mëtejshme për procedurën e plotë të vlerësimit dhe akreditimit në Arsimin e Lartë mund të gjeni në materialin e APAAL “Procedura për Vlerësimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë”.

III. VETËVLERËSIMI ( VLERËSIMI I BRENDSHËM )

Eshtë faza e parë e vlerësimit. Ai ndërmerret nga stafi i njësisë që do të vlerësohet. Një vetëvlerësim i mirë ndriçon anët e forta dhe të dobëta të njësisë, brenda kuadrit të përgjithshëm të pengesave apo të mundësive që përcaktojnë punën e saj (analiza SWOT – Strengths-pikat e forta, Weaknesses-pikat e dobëta, Opportunities-mundësitë, Threats-pengesat).

Vetëvlerësimi kryhet në kuadrin e një procesi periodik vlerësimi dhe akreditimi ose me iniciativën e një njësie të Arsimit të Lartë për qëllime të saj të brendshme. Në rastin e parë, ai kryhet pasi miratohet nga KA dhe sipas afateve kohore të përcaktuara nga APAAL dhe të miratuara nga KA.

Vetëvlerësimi përbëhet nga disa hapa:

  • Takimi i APAAL me njësinë që do vlerësohet dhe njohja me afatet e detyrimet e vlerësimit.
  • Ngritja e Grupit të Vetëvlerësimit: ky grup ngrihet nga titullari i njësisë sipas kritereve që trajtohen më poshtë.
  • Trainimi i Grupit të Vetëvlerësimit nga stafi i APAAL: vihen në dispozicion materialet udhëzuese për vlerësimin, organizimin e grupit dhe të punës në grup dhe njohja me procesin, detyrat, të drejtat e përgjegjësitë e secilit.
  • Kryerja e vetëvlerësimit sipas udhëzuesit në fjalë (shih më tej). Gjatë kësaj faze Grupi i Vetëvlerësimit qëndron në kontakt të vazhdueshëm me APAAL dhe asistohet nga kjo e fundit në rast kërkese.
  • Përgatitja e Dosjes së Vetëvlerësimit (shih më tej).
  • Hartimi i Raportit të Vetëvlerësimit sipas kërkesave e udhëzimeve në këtë udhëzues dhe pas konsultimit të përmbajtjes së tij me stafin e njësisë.
  • Dorëzimi në APAAL i Raportit të Vetëvlerësimit, kur ky proces kryhet si pjesë e vlerësimit e akreditimit periodik.

Gjatë gjithë procesit, APAAL kujdeset që të respektohen kriteret e përcaktuara dhe të ndiqet në mënyrë të saktë procedura në fjalë. Në raste mosrespektimi, APAAL merr masat përkatëse për përmbushjen e tyre.

Kur vetëvlerësimi kryhet për qëllime të vetë njësisë, Raporti i Vetëvlerësimit është një dokument që shërben për të analizuar gjendjen dhe për të reflektuar mbi mënyrën se si njësia realizon misionin e saj. Qëllimi i fundit i vetëvlerësimit është të inkurajojë të gjithë anëtarët e njësisë për të menduar që secili prej tyre është përgjegjës për cilësinë dhe për të marrë masa për përmirësim.