Të nderuar lexues!
Agjencia e Akreditimit është riorganizuar në Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, ASCAL. Po ashtu është ndryshuar edhe faqja zyrtare e institucionit. Së shpejti faqja aktuale www.aaal.edu.al do të mbyllet dhe i gjithë informacioni në lidhje me ASCAL do të publikohet në faqen e re www.ascal.al
Faleminderit për mirëkuptimin.

Kliko për të vazhduar
Udhëzues për  vlerësimin dhe riorganizimit e Institucioneve të Arsimit të Lartë, maj 2014. (shkarko dokumentin)

Për hartimin e këtij dokumenti APAAL është mbështetur në aktet ligjore dhe nënligjore ekzistuese që lidhen me objektin e tij si: Ligjin e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë nr 9741/2007/i ndryshuar, Udhëzimet e MAS për Arsimin e Lartë, Standardet Shtetërore të Cilësisë, etj. Që lidhen me riorganizimin dhe përmbushjen e standardeve institucionale në fuqi.
Ky dokument është miratuar nga Këshilli i Akreditimit në Maj 2014 dhe udhëzon Institucionet e Arsimit të Lartë për:
          I.              Dokumentacionin  që duhet të paraqesë IAL (publike dhe private), për të filluar procesin e vlerësimit
        II.             Procedurat që ndiqen që nga aplikimi, vlerësimi dhe përfundimi i procesit në APAAL-KA
       III.           Kriteret që ndiqen gjatë procesit të vlerësimit dhe rezultatet e tij
       IV.           Formatet ei aplikimit
        V.             Formate të tjera në plotësimin e dokumentacionit dhe të dhënave të nevosjhme për procesin.
I – Dokumentacioni që paraqet një Institucion i Arsimit të Lartë për riorganizimin e tij duhet të përmbajë:
1.      Kërkesën me shkrim të titullarit të IAL për riorganizim së bashku me argumentet e riorganizimit të institucionit dhe qëllimi i procesit.
2.      Të dhënat e përgjithshme të IAL të plotësuara sipas formatit të aplikimit (Formati nr.1, kliko këtu)
3.      Dokumentacionin zyrtar për miratimin/akreditimin me strukturën ekzistuese.
4.      Listën e plotë të autoriteteve drejtuese sipas strukturës ekzistuese me funksionin dhe kualifikimin përkatës (Formati nr.2,  kliko këtu).
5.      Procedurën institucionale të miratimit për strukturën ekzistuese dhe ato të shqyrtimit e miratimit të strukturës së kërkuar, mbështetur dhe shoqëruar me vendimet institucionale përkatëse
6.      Listën e programeve të studimit dhe përkatësinë sipas fakulteteve në strukturën e ekzistuese (formati nr.3, kliko këtu)
7.      Listën e programeve të studimit, me emërtimet përkatëse dhe sipas ciklit të studimit dhe përkatësinë sipas fakulteteve në strukturën të kërkuar /riorganizuar (formati nr.4, kliko këtu)
8.      Dokumentacionin zyrtar për miratimin e strukturës, të kërkuar për riorganizim (Vendim i Këshillit të Fakultetit/Vendim i Senatit)
9.      Të dhënat e plota për stafin akademik të brendshëm dhe të jashtëm të ndarë sipas njësive kryesore dhe bazë për strukturën ekzistuese dhe të riorganizuar (formati nr.5a dhe 5b, kliko këtu).
10.  Listën e plotë të stafit ndihmës-akademik dhe administrativ për çdo njësi kryesore për strukturën ekzistuese dhe të riorganizuar sipas formatit të kërkuar (formati nr.6a, nr. 6b nr. 6c, nr 6d, kliko këtu)
11.  Të dhënat për numrin e studentëve të regjistruar në programet e studimit (formati nr.7, kliko këtu ).
12.  Dokumentacionin që vërteton angazhimin e rregullt mbi baza vjetore të personelit akademik efektiv dhe mosangazhimin e tij në institucione të tjera me kohë të plotë (dhe/ose lejen e punëdhënësit kryesor në rast angazhimi).
13.  Dokumentacion zyrtar mbi angazhimin dhe ngarkesën e stafit akademik efektiv në kuadrin e kurrikulave të programeve të orfuara nga Institucioni kërkues.
14.  Efekti financiar që rrjedh nga riorganizimi dhe nga do mbulohet ky efekt.
15.  Infrastruktura mbështetëse për institucionin e riorganizuar. Në këtë rast do të paraqitet një relacion i plotë shpjegues për efektet që do të ketë organizimi i ri akademik (për ndërtesat ekzistuese dhe /ose të reja)
16.  I gjithë dokumentacioni i kërkuar dorëzohet zyrtarisht i printuar dhe në elektronik në CD. Formati elektronik mund të ngarkohet on line. Ju lutemi klikoni këtu!

II – Procedura e aplikimit dhe e vlerësimit
Hapat institucionalë për aplikim dhe vlerësim janë:
1.        Institucioni paraqet pranë Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë kërkesën zyrtare të shoqëruar me dokumentacionin e kërkuar sipas pikës I. Dokumentacioni duhet të jetë i organizuar sipas pikave nga 1-14.
2.        Punonjësi i protokollit verifikon verifikon gjendjen e dosjes së aplikimit në përputhje me listën e dokumentacionit të kërkuar në pikën I. Në rast se dosja e aplikimit ka mangësi, kthehet për plotësim.
3.        Në rastin kur dosja e aplikimit konsiderohet e plotë, dokumentacioni protokollohet në përputhje me procedurat e brendshme të funksionimit të APAAL, kalon për shqyrtim dhe vlerësim nga Sektori i Promocionit dhe Vlerësimit të Cilësisë.
4.        Vlerësimi në përmbajtje i dosjes me kërkesën për riorganizim institucional i nënshtrohet një procesi me katër faza:
a.       Vlerësimin në përmbajtje të dosjes gjatë të cilës vlerësohet nëse dokumentacioni në përmbajtje të dosjes përmban të plota dhe të sakta të gjitha të dhënat dhe dokumentat e kërkuara që lejojnë vazhdimin e vlerësimit teknik të saj de në përputhje me kriteret dhe standardet.Në të kundërt, dokumentacioni kthehet në institucion pa vlerësim
b.      Vlerësimin teknik kryhet nga specialistët e APAAL mbi bazën e ligjit të arsimti të lartë dhe akteve nënligjore, standardet shtetërore të cilësisë për vlerësimin dhe akreditimin e institucioneve dhe programeve në arsimin e lartë të paraqitura në paragrafin III të këtij dokumenti. Për kryerjen e këtij vlerësimi përdoret Formati i Vlerësimit për Riorganizimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë. Vlerësimi kryhet nga specialistët e APAAL. Në rast mosplotësimi të kritereve teknike, vlerësimi teknik konsiderohet negatv dhe i kthehet institucionit. Në rast të vlerësimit teknik pozitiv, procesi vijon me fazën pasuese
c.       Vizita në IAL: Kjo vizitë kryhet nga një grup në përbërje të të cilit janë të paktën 2 specialistë të APAAL dhe një punonjës në rolin e sekretarit. Specialisti që ka kryer vlerësimin teknik është detyrimisht antar i grupit të vizitës në vend. Grupi i vlerësimit gjatë vizitës në institucion, ka të drejtën e verifikimit dhe të mbledhjes së informacioneve shtesë në funksion të procedurës për të cilën është autorizuar. Në fund të vizitës, grupi harton një raport vlerësimi përfundimtar, përmbledhës për të gjitha fazat nga a në c të procedurës i cili i bashkëngjitet dokumentacionit të institucionit. Në rastet kur procedura e vlerësimit është specifike dhe kërkon vlerësim të ekspertëve të fushave përkatëse,  APAAL mund të angazhojë edhe ekspertë të jashtëm gjatë këtij procesi, për  një vlerësim më të specializuar. I gjithë dokumentacioni i përgatitur nga procedurat e pikës 3 (a-c), administrohet nga SVP dhe përgatitet për shqyrtim nga KA
5.        Shqyrtimi nga Këshilli i Akreditimit. Kërkesa, dokumentacioni dhe raporti i vlerësimit i paraqiten Këshillit të Akreditimit në mbledhjen e tij të rradhës. Në mbledhjen e Këshillit të Akreditimit duhet të jenë të pranishëm të paktën një përfaqësues i grupit të vlerësimit nga APAAL dhe një përfaqësues i IAL që ka bërë kërkesën, për të dhënë informacionin, sqarimet dhe argumentat e nevojshme për një vendimmarrje objektive dhe të bazuar. Në përfundim të procesit të shqyrtimit të vlerësimit, Këshilli i Akreditimit, në përputhje me rezultatin e vlerësimt mer vendimin përfundimtar dhe ja përcjell atë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Në raste të caktuara, Këshilli mund të kërkojë dhe dokuemntacion apo të dhëna shtesë për një vendimmarrje më të bazuar, objektive dhe të paanshme.


III – Kriteret e vlerësimit
Vlerësimi i riorganizimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë kryhet përkundrejt:
Ligjit bazë për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë dhe Ligjit të Arsimit të Lartë, i ndryshuar
Akteve nënligjore në fuqi
Standardeve shtetërore të cilësisë për vlerësimin e institucionit dhe programeve të studimit për të tre ciklet e studimit.
Standarteve evropiane të sigurimit të cilësisë
Procedurave të vlerësimit dhe akreditimit të miratuara zyrtarisht
1. IAL me statusin “Universitet”:
a.         Universiteti përfaqëson një strukturë, të përbërë dhe të integruar, që realizon arsimim të lartë, zhvillim të dijeve, shkencës, profesioneve dhe transmeton njohuri në fusha dhe disiplina shkencore dhe profesionale.
b.        Universiteti siguron arsimim të bazuar në kërkim dhe njohuri shkencore e teknologjike bashkëkohore; siguron arsimim të vazhduar, kualifikime, specializime; përgatit specialistë dhe shkencëtarë të rinj.
c.         Universiteti realizon kërkim shkencor e të aplikuar dhe veprimtari krijuese, ofron shërbime, në përputhje me misionin e tij, mbështet dhe realizon aftësimin e personelit akademik. Në varësi të misionit kryesor që ka, të përcaktuar në statutin e tij, universiteti siguron raportin e përshtatshëm ndërmjet mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe shërbimeve që ofron.
d.        Universiteti ofron programe të studimeve për të tre ciklet e studimit, dhe ka në përbërje të tij së paku dy fakultete.
e.         Për kryerje të veprimtarive të arsimimit dhe kërkimit me interes të përbashkët, universiteti mund të bashkëpunojë me institucione të tjera: universitete, institucione kërkimore-shkencore, kulturore dhe ekonomike, publike dhe private.

2. IAL me statusin “Akademi”:
a.         Akademitë ofrojnë arsimim të lartë profesional dhe veprimtari krijuese në fusha specifike të artit, sportit, të sigurisë dhe të mbrojtjes” e fusha të tjera profesionale.
b.        Ato mund të ofrojnë programe të studimeve për të tre ciklet dhe kanë në përbërje, së paku, dy fakultete.
c.         Akademitë ofrojnë edhe kërkim shkencor në fushat përkatëse, në varësi të ciklit të studimit, në përputhje me statutet e tyre.

3. IAL me statusin “Shkolla e lartë”:
a.         Shkolla e lartë ofron arsimim të lartë në ciklin e parë ose edhe të dytë të studimeve.
b.        Shkolla e lartë mund të ofrojë kërkim shkencor të aplikuar dhe shërbime në fushat përkatëse, në përputhje me statutin e saj.
c.         Ajo ngrihet dhe funksionon edhe me, së paku, dy fakultete.

4. IAL me status “Qendër ndëruniversitare”:
a.         Qendra ndëruniversitare krijohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të Ministrit të Arsimit dhe Sportit.
b.        Qendra ndëruniversitare zhvillon dhe promovon programe dhe projekte të kërkimit shkencor dhe ndihmon në arsimim të avancuar pas ciklit të parë të studimeve universitare.
c.         Objekti i veprimtarisë, si dhe detyrat përcaktohen në aktin e krijimit por në përputhje me parashikimet ligjore për këto studime.

5. IAL me status “Kolegj profesional”:
a.         Kolegji profesional ofron veprimtari mësimore dhe trajnuese në fusha të ndryshme të arsimit profesional universitar dhe jouniversitar, për përgatitjen e specialistëve me orientim praktik.
b.        Kolegji profesional realizon veprimtari kërkimore tё aplikuara, artistike, sportive etj., nëse është parashikuar në statutin dhe rregulloret e tij, si dhe ofron shërbime.
c.         Kolegji profesional ofron programe të studimeve të ciklit të parë në disa fusha, në përputhje me procedurat e përcaktuara me akte nënligjore.
d.         Kolegji profesional ka të drejtë të ngrihet edhe pranë universiteteve, akademive apo shkollave të tjera të larta. Në këto raste ai ka strukturë të ngjashme me fakultetin.

6.      Njësitë përbërëse të IAL:
a.         Institucionet e arsimit të lartë organizohen në njësi përbërëse organizative: kryesore, bazë dhe ndihmëse.
b.        Fakultetet, institutet e kërkimit dhe zhvillimit, kolegjet profesionale, si pjesë e institucioneve dhe filialet e tyre konsiderohen njësi kryesore.
c.         Departamentet dhe qendrat e kërkimit dhe të zhvillimit konsiderohen njësi bazë.
d.        Laboratorët, stacionet eksperimentale, njësitë didaktike, bibliotekat dhe njësi të tjera, që realizojnë studime, projektime dhe shërbime konsiderohen njësi ndihmëse.

7.      Fakultetet:
a.         Fakultetet, institutet e kërkimit dhe zhvillimit, kolegjet profesionale, si pjesë e institucioneve dhe filialet konsiderohen njësi kryesore.
b.        Fakulteti është njësi kryesore, që kryen dhe bashkërendon mësimdhënien, kërkimin shkencor dhe zhvillimin kulturor në fusha mësimore-kërkimore, të përafërta ose të ndërthurura.
c.         Fakulteti ofron programe të studimeve të llojeve dhe niveleve të ndryshme, në përfundim të të cilave përfitohet diplomë.
d.        Fakulteti organizohet në njësi bazë. Çdo fakultet ka, së paku, tre të tilla, nga të cilat së paku dy janë departamente.
e.         Fakultetet që ofrojnë programe studimi të fushave mjekësore duhet të lidhin marrëveshje ose kontrata me spitalet e tjera jouniversitare për formimin praktik të studentëve dhe atë të kërkimit shkencor

8.      Departamentet:
a.         Departamenti është njësi bazë mësimore-kёrkimore, që përfshin fusha kërkimi homogjene dhe grupon disiplinat mësimore respektive.
b.        Strukturë të ngjashme me departamentin kanë edhe qendrat e kërkimit dhe zhvillimit, fushat e kërkimit të të cilave harmonizohen me interesa të departamenteve të fakultetit.
c.         Departamenti nxit, bashkërendon dhe administron veprimtaritë e mësimdhënies, veprimtaritë kërkimore ose artistike
d.        Departamenti organizohet në grupe kërkimore shkencore me profile specifike
e.          Departamenti duhet të ketë në përbërje të tij të paktën 7 anëtarë efektivë si personel akademik, ndër të cilët të paktën 3 duhet të jenë me grada dhe tituj.
f.         Në fakultetet e institucioneve të arsimit të lartë publik, që kanë qendra spitalore universitare, lëndët/disiplinat klinike organizohen në shërbime.
g.        Shërbimi është njësi bazë e fakultetit dhe bën pjesë në strukturën e spitaleve universitare.
h.        Përgjegjës i shërbimit është titullari i shërbimit, në funksionet e njësisë bazë të fakultetit, dhe të ketë, së paku, gradën shkencore “Doktor”.

9.      Njësitë ndihmëse në IAL:
a.         Laboratorët, stacionet eksperimentale, njësitë didaktike, bibliotekat dhe njësi të tjera, që realizojnë studime, projektime dhe shërbime konsiderohen njësi ndihmëse.
b.        Njësitë ndihmëse përmbajnë staf administratiov dhe teknik.
c.         Njësitë ndihmëse janë në shërbim/varësi të procesit mësimor dhe kërkimor të institucionit, njësive kryesore dhe/ose departamenteve.

10.      Filialet e Institucioneve të Arsimit të Lartë
a.         Një institucion i arsimit të lartë ka të drejtë të hapë filialet e tij në rajone të tjera, jashtë selisë qendrore, për të ofruar programe të studimeve, kërkim shkencor e shërbime të ndryshme.
b.        Filiali është një njësi e veçantë në strukturën e institucionit të arsimit të lartë (njësi kryesore, njësi bazë) ose pjesë përbërëse e njësive të selisë qendrore të institucionit.
c.         Filiali ka strukturën e vecantë, personelin akademik, ndihmës-akademik dhe administrativ.
d.        Filialet nuk konsiderohen njësi ndihmëse: si të tilla ato kanë dhe staf akademik pervëc atij teknik e administrative.

11.  Organet drejtuese të IAL:
IAL, në përputhje me parashikimet ligjore, statusin akademik dhe rregulloren e tyre, duhet të kenë të ngritura dhe funksionale organet drejtuese vendimmarrëse dhe ekzekutive, akademike dhe administrative si:
a.         Senatin Akademik
b.        Këshillin e Administrimit
c.         Këshillat e Fakulteteve
d.        Këshillin/at e etikës
e.         Këshillin/at e Profesorëve
f.         Rektoratin
g.        Dekanatin/et
h.        Drejtorët
i.          Trupa të tjera sipas specifikës së institucionit
j.          Qendrat spitalore universitare të institucioneve të arsimit të lartë publik drejtohen nga Bordi dhe Drejtoria e Përgjithshme

12.  Autoritetet drejtuese në Institucionet e Arsimit të Lartë
a.         Rektori duhet të mbajë të paktën titullin “Profesor i Asociuar” ose titullin Doktor të fituar në universitetet perëndimore
b.        Dekanët e fakulteteve/drejtorët e qendrave/institutive të kërkimit duhet të mbajnë të paktën titullin Prof. i Asociuar ose titullin Doktor të fituar në universitetet perëndimore
c.         Përgjegjësi i Departamentit duhet të mbajë të paktën gradën Doktor.
d.        Titullarët e grupeve kërkimore të departamenteve duhet të kenë, së paku, gradën shkencore “Doktor”
e.         Antarët e Këshillit të Administrimit duhet të mbajnë të paktën gradën Doktor
f.         Autoritetet drejtuese në të gjitha nivelet në  IAL janë staf akademik efektiv i institucionit
g.        Funksioni drejtues nuk duhet të jetë në konflikt interesi me antarësinë në organet drejtuese sipas ligjit dhe anasjelltas
h.        Kancelari i institucionit apo njësive kryesore duhet të kenë formim në fushën Ekonomike ose juridike.
i.          Dekanët duhet të kenë formim universitar dhe kualifikime pasuniversitare përkatëse në fusha që mbulon fakulteti dhe duhet të jenë staf akademik i brendshëm i fakultetit që drejton.
j.          Përgjegjësat e Departamenteve duhet të kenë formim universitar dhe kualifikime pasuniversitare në fushën e ngushtë të programeve dhe kërkimit të departamentit që drejton.
k.        Një autoritet drejtues nuk mund të mbajë më shumë se një pozicion drejtues në IAL pavarësisht nivelit të drejtimit.

13.  Stafi akademik në Institucionet e Arsimit të Lartë
a.         Personeli akademik në institucionet e arsimit të lartë ndahet në kategoritë “Profesor”, “Docent” dhe Lektor”.
b.        Në kategorinë “Profesor” përfshihen antarët e personelit akademik që mbajnë titujt akademikë: “Profesor i asociiuar”, “Profesor”, “Profesor emeritus”, “Akademik i asociuar” dhe “Akademik”
c.         Në kategorinë “Docent” përfshihen antarë të personelit akademik që mbajnë titullin akademik “Docent” ose gradën shkencore “Doktor”.
d.        Në kategorinë “Lektor” përfshihen antarë të personelit akademik efektiv që Lektorët duhet të kenë të paktën diplomën “Master i shkencave” ose “Master i arteve të bukura” ose ekuivalente me të sipas ligjit
e.         Çdo njësi bazë department apo qendër kërkimore duhet të ketë të paktën 7 antarë të personelit akademik efektiv që nuk rezultojnë efektivë në asnjë njësi tjetër bazë
f.         Çdo antar i stafit akademik efektiv angazhohet sipas specifikimeve të përcaktuara në kontratat individuale të punës. Bën përjashtim nga ky rast stafi akademik efektiv i institucioneve të reja të arsimit të lartë që kanë më pak se dy vjet nga licensimi i tyre. Për këto raste stafi i angazhuar duhet të jetë i plotë dhe i kontraktuar rregullisht, deri për atë vit akademik që është operativ në programin më të hershëm të licensuar.
g.        Personeli akademik dhe autoritetet drejtuese në institucionet e arsimit të lartë që mbajnë gradën Doktor dhe titullin Profesor i Asociuar, qendrojnë si staf efektiv deri në moshën e pensionit në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore.
h.        Personeli akademik dhe autoritetet drejtuese në institucionet e arsimit të lartë që mbajnë titullin “Profesor” mund të qendrojnë si staf akademik efektiv deri në moshën 68 vjec.
i.          Antarë të personelit akademik të Institucioneve të Arsimit të Lartë janë dhe personeli akademik me kontratë dhe personeli akademik i ftuar.
j.          Një antar i personelit akademik është efektiv vetëm në një njësi bazë; kjo nuk përjashton angazhimin e tij në mësimdhenie apo kërkim në njësi të tjera bazë apo kryesore të IAL.

14.  Struktura organizative dhe programet e studimit
a.       Fakultetet si njësi kryesore të IAL duhet të përbëhen nga departamente që përfshijnë fusha të ngjashme dhe programe të ngjashme studimi, sipas klasifikimit të BE (bashkangjitur)
b.      Riorganizimi i fakulteteve në struktura të reja duhet të mbajë parasysh që edhe stafi në përbërje të departamenteve të tij kanë formim në fusha të ngjashme. Bëjnë përjashtim personeli akademik efektiv që mbulon lëndë/module joprofesionale si ato të formimit të përgjithshëm dhe bazë.
c.       Njësia kryesore është përgjegjëse për mbarëvajtjen e programeve të studimit, ndërsa departamentet bashkëpunojnë në ofrimin e tyre.
d.      Personeli akademik në përbërje të departamenteve të një njësie kryesore bashkëpunojnë dhe koordinojnë veprimtarinë e tyre mësimdhënëse dhe kërkimore në funksion të realizimit të programit mësimor dhe atij kërkimor.
e.       Programet e studimit që ofrohen në kuadrin e një fakulteti duhet ti përkasin të njëjtës kategori sipas klasifikimit të shtojcës 1.
f.       Departamentet në përbërje të një fakulteti duhet të jenë organizuar brenda të njejtës fushë të fakultetit (shih shtojcën).
g.      Emërtimi i departameteve duhet te reflektojë programet e studimit dhe fushën kërkimore të tyre, pa u përputhur domosdoshmërisht me emërtimin e programeve të studimit.

15.  Infrastruktura
a.         Infrastruktura duhet të jëtë në përputhje me standardet dhe udhëzimet e përgjithshme për normativat e ndërtimit të objekteve shhkollore
b.        Godinat, ndërtesat, laboratorët dhe cdo object që përdoret nga IAL duhet të jetë në përputhje me kërkesat e ligjit për pronësinë, marrjen me qera etj.
c.         Të plotësojë kërkesat akademike të programeve të studimit për laboratorët dhe njësitë ndihmëse.
d.        Infratsrutkura duhet të përputhet me logjikën dhe arguemntimin e riorganizimit të IAL.
e.         Vlerësimi I saj kryhet në përputhje me aktet nënligjore të MAS për infrastrukturën mësimdhënëse dhe kërkimin shkencor.

16.  Efekti financiar
a.         IAL publike duhet të shoqërojnë të gjithë projektin e riorganizimit me një llogaritje të detajuar financiare mbi efektet që ka procesi i riorganizimit.
b.        IAL duhet të ndajë sipas zërave financiarë këto efekte në paga, sigurime, shpenzime operative dhe investime.
c.         IAL duhet të paraqesë burimet shtesë për mbulimin e efektit financiar të riorganizimit dhe prejardhjen: buxhetin e shtetit, të ardhurat nga tarifat, shërbime ndaj të tretëve, projekte, etj.
d.        IAL duhet të dëshmojë sigurimin e mbulimit të efektit financiar deri në hartimin e projekt-buxhetit të vitit pasardhës.
e.         IAL duhet të paraqesë një raport përfitim-kosto për riorganizimin.
f.         Ky dokumentacion duhet të shoqërohet me aktet proceduriale të propozimit dhe miratimit në Këshillin e Administrimit.
g.        IAL jopublike kanë detyrim të paraqesin dokumentacionin e pikave a, c, dhe f më sipër.

Ndarja e programeve sipas kategorive/fushave të studimit

Nr

KATEGORITE/FUSHAT KRYESORE TE STUDIMEVE TE ARSIMIT TE LARTE

KURSET E STUDIMEVE ME TRUNG TE PERBASHKET

I

SHKENCA MJEKESORE

Mjekesi, Farmaci, Stomatologji, Mjekësi Veterinare, Infermieri, Fizioterapi, Laborator Mjekësor, Mami, Imazheri,

II

SHKENCA INXHINIERIKE

Inxhinieri Matematike,  Inxhinieri Fizike, Inxhinieri Eletronike,  Inxhinieri  Ndërtimi / Civile / Mjedisi,  Inxhinieri  Mekanike, Teknologji Informacioni, Inxhinieri Tekstile,  Arkitekture / Planifikim Urban, Shkenca të Tokës

III

SHKENCA NATYRORE

Fizikë, Kimi, Biologji/Bioteknologji, Shkenca të Mjedisit, Shkenca Ekzakte, Informatikë

IV

SHKENCA BUJQESORE

Bujqësi, Ekonomi Agrare, Shkenca të Ushqimit, Zootekni, Shkenca të Pyjeve

V

SHKENCA HUMANITARE & SHOQERORE

Psikologji, Sociologji, Filozofi, Punë Sociale, Shkenca Politike, Marrëdhënie Ndërkombëtare, Diplomaci

Gazetari, Shkenca Ekonomike, Shkenca Jurifike

VI

SHKENCA FILOLOGJIKE DHE TE EDUKIMIT

Histori, Gjeografi, Gjuhësi, Gjuhë të Huaja, Letërsi, Mësuesi

VII

ARTE DHE SPORTE

Arte Pamore / Figurative, Arte Skenike,

Muzike/Instrumente/Kompozicion, Regjisure

Shkenca Sportive, Shkenca të Shendetit

VIII

SHKENCA USHTARAKE DHE POLICORE

Shkenca Ushtarake, Shkenca Policore, Shkenca të Sigurisë